Ana, 15 vjeçe

Tungjatjeta Ana!

“Gjithmonë e kam dashur jetën, por ka 15 vite që e dua më shumë se kurrë. I lutem Zotit të rroj më shumë se 100 vite, jo për vete, po për gocën”- tregon Fiqiretja. Ajo është mamja e 3 fëmijëve. Jeta e saj ndryshoi kur në jetë erdhi vajza e dytë, Ana, që sot është 15 vjeçe. Kur ishte 6 muajshe ajo kaloi një ftohje të rëndë. Prindërit e sollën në Tiranë dhe në kryeqytet mjekët e diagnostikuan me Paralizë Cerebrale. Për të dy ishte shumë e vështirë. E ëma tregon se ajo sëmurej shpesh: kishte kriza epilepsie, probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë të lartë.

Ana nuk ka ecur dhe nuk ka folur kurrë. Ajo është e lidhur pas një shtrati përjetësisht. Ndërsa Fiqiretja është e lidhur pas saj. Ajo e lan, e ushqen dhe nuk i ndan sytë asnjë çast. “Çfarë të them, e kam pikë në zemër, si çdo nënë. Kur ajo vuan dhe nuk më tregon ku i dhemb shpirti im e di sa vuaj. Ndoshta i pihet ujë dhe unë i jap bukë. Ku ta di unë...Kur e motra dhe i vëllai vijnë vërdallë nëpër shtëpi, kurse Ana i sheh ulur, mua më qan shpirti!”- thotë Fiqiretja mes lotësh.

Ana është rritur në shtat si bashkëmoshataret, por nuk i gëzohet jetës siç bëjnë ato. Fiqiretja tregon se ajo e ndjek me sy nëpër shtëpi, kaq mund të bëjë. E motra, Klevisjana, 10-vjeçare e nxjerr shpesh në verandë që të shohë kopshtin, pemët, lulet, kafshët...

Ana është shumë e lidhur me familjarët e saj. Sa herë i ati vjen ajo përplas duart nga gëzimi, por Ana e sheh shumë pak. Ai është i vetmi që punon nga familja dhe e vetmja mundësi është të shkojë në Greqi, çdo 3 muaj.

Ata jetojnë në fshatin Qukës Shkumbin në Librazhd. Fshati i tyre është rreth 40 minuta larg qytetit. Fiqiretja tregon se, në qytet, fëmijët si Ana prindërit i nxjerrin xhiro pasdite, ndërsa ajo nuk mundet sepse rrugët në fshat nuk janë të rregulluara, shëtitore nuk ka dhe shikimet e njerëzve vrasin...

Ana nuk ka mundur kurrrë të marrë ndihmë të specializuar. “Po të kisha mundësi do e çoja për fizioterapi tek qendra në qytet, që të paktën të ketë më pak dhimbje dhe të takojë fëmijë të tjerë”- thotë Fiqiretja.

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni