Arjani, 15 vjeç

 

Arjani është më i vogli i familjes. Ai erdhi në jetë pas motrës dhe 2 vëllezërve. Prindërit tregojnë se jetesa në një familje të madhe si e tyre, në një fshat të varfër të Librazhdit, nuk është e lehtë. Ata janë të dy të papunë. Burimi i vetëm që mund t‘iu sigurojë të ardhura është një lopë dhe pak tokë ku mbjellin zarzavate, fruta dhe misër.

Brenga e tyre më e madhe është Arjani, sot 15 vjeç. E ëma tregon se kur ishte ende foshnjë kaloi një temperaturë të lartë dhe që atëherë nuk ishte më si gjithë bashkëmoshatarët e tij. “Nuk e kuptuam si i erdhi. E çuam tek doktori pas disa ditësh dhe diagnoza që i caktoi mjeku ishte autizëm fëminor”- tregon e ëma.

Që atëherë ai nuk ka marrë kurrë shërbimet e nevojshme për të cilat ka nevojë, që të përmirësohet. Atij i nevojitet logopedi, por qendra e vetme ku mund të marrë shërbime është në qendër të Librazhdit.

Ai është i qetë, fjalëpakë, i qeshur, i pëlqen të ketë shokë, të dalë me ta e të luajë. Mes të tjerash, Arjanit i pëlqen shumë të shohë televizor dhe të dëgjojë muzikë.

A ke shokë? - e pyesim.

-“Jo” - përgjigjet.

“Ata nuk pranojnë të luajnë me të. Kanë turp të lajnë me të. E tallin. Ka pasur raste që edhe e kanë rrahur”- tregon e ëma e përlotur.

Djali përfundoi vjet shkollën 9-vjeçare, por nga shkolla nuk mori asgjë. “Ëndrra ime më e madhe është që Arjani të mësojë të shkruajë të paktën emrin e vet” – thotë e ëma e përlotur.  

Prindërit duan shumë që Arjani të marrë kujdesin e specializuar mjekësor për t’u përmirësuar sadopak. Për këtë, World Vision, ka filluar programin social Tungjajeta, që do i mundësojë shërbime të specializuara fëmijëve me aftësi të kufizuara në fshatrat e thellë të Librazhdit.

Ju keni mundësinë ta ndihmoni Arjanin të marrë shërbimet e domosdoshme duke dhuruar 400 Lekë në muaj.

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni