Arsi, 7 vjeç

Arsi do të thotë guximtar dhe luftëtar…  Edhe pse vetëm 7 vjeç, në jetën e tij ai ka luftuar fort për të mbijetuar… e bashkë me të edhe e ëma, Aida. Vogëlushi na pret mbështetur tek porta e brendshme e shtëpisë një katëshe me sytë që i shkëlqejnë nga lumturia. Në fshatin e tij, 20 minuta larg qytetit të Peshkopisë, i ftohti është i madh dhe në ajër ndihet aroma e durëve që digjen në oxhaqe.

7 vjeçari me zhurmën fëminore mbush me hare shtëpinë ku jeton me nënën, gjyshen, me motrën dhe dy vëllezërit më të mëdhenj. E gjithë familja jeton me kempin e Arsit, me pensioni e gjyshes dhe me pak të ardhura që sjell babai nga emigracioni. Aida, është ajo që mban peshën e kryefamiljares por e ka të vështirë të punojë, sepse gjithë kohës duhet t'i shërbejë djalit. Arsi është diagnostikuar me paralizë cerebrale spastike sinistra (Hemiparezë). 

Ardhja aq e dëshirueshme në jetë

Ardhja në jetë e Arsit ka qenë një ëndërr e bërë realitet për nënën e tij, Aidën. Si pasojë e problemeve shëndetësore ajo nuk kishte shumë mundësi për një shtatzëni, por ajo kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra dhe dëshira për që qenë nënë…

Kur kam marrë vesh që jam shtazënë ka qënë një ndër momentet më të lumtura të jetës. Një emocion aq i madh dhe i fortë, për të cilën çdo fjalë duket e paaftë për të treguar vërtet atë që kam ndjerë.” - na tregon mamaja e Arsit.

Fillimisht ajo ka qenë shtatzënë me dy binjakë, por në muajin e tretë njëri prej embrionëve nuk mund të zhvillohej më tej. Nëna lutej që njëri nga emrionet t’ia dilte mbanë dhe përtej vështirësive ia doli. Në muajin e 7-të të shtatzënisë, mjeku konstatoi që Arsi kishte një aortë të zmadhuar, kanalin e lëngut të trurit të zmadhuar dhe veshkën gjithashtu. Kështu që i këshilloi që të qëndronte në regjim shtrati. 

Arsi lindi pak më parë se sa ishte parashikuar, pasi kishta ujëra të tepërta. Mjekët më thanë i ka mushkëritë jo plotësisht të zhvilluara”- na tregon Aida.

Problemet me shëndetin

Pas lindjes, problemet shëndetësoret të Arsit sa vinin e shtoheshin, në moshë 5-muajshe humbi oreksin, qante gjithë kohës, mjekët e panë kishte zmadhim të shpretkës. Si pasojë e tempteraturës së lartë në këtë moshë, nisen me urgjencë nga Dibra në Tiranë. Për muaj me radhë, i vogli qëndron në reanimacion, i ushqyer me sonda… Ende pa mbushur 1 vjeç gjatë një shtrimi në spital në Turqi, Arsi pëson një trompozë, e cila më pas i la një hemiparezë, duke i lënë të paralizuar anën e majtë të trupit.

Sot, Arsi ka shumë probleme me shëndetin ….  Ai vjen më i vogël në shtat se fëmijët e tjerë të të njëjtës moshë. Rritja e tij ka qenë një sfidë e vështirë, në sytë e së ëmës ai është zhvilluar me ngadalë: si fizikisht dhe intelektualisht në krahasim me fëmijët e tjerë. Aida nuk rreshti kurrë së sakrifikuari për të dhe nuk e përmban dot lumturinë kur ai thotë: ”Unë kam mamin më të mirë në botë!”    

Tungjatjeta Arsi!

“Klevi është shoku im më i mirë. Ai më bën fi-zio-te-ra-pi që më ndihmon tek këmba dhe të dora….”- thotë Arsi i vogël. Ai me gazin e tij fëminor tregon afeksionin e madh që ka për Klevisin, fizioterapistin e skuadrës së “Tungjatjeta…jetë”, që shkon çdo javë në shtëpinë e tij.

Në fillim ka qenë pak sfidë përshtatja me Arsin për të bërë terapi në shtëpi, kishte dhimbje. Me anë të lojrave të ndryshme dhe bashkëpunimit të nënës kam arritur tashmë të kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin. Në fillim kishte muskuj të ngurtësuar në pjesën e qafës, nuk arrinte të mbante stilolapsin në mënyrën e duhur. Tashmë pas katër muajsh fizioterapi, Arsi ka muskuj të butë dhe të trajtueshëm, arrin të mbajë  stilolapsin në mënyrën e duhur”- na thotë Klevisi, fizioterapisti i ekpit lëvizës.

Prej muajit qershor 2019, Arsi ka filluar terapinë e specializuar me “Tungjatjeta…Jetë” në Dibër, që është dhe i vetmi shërbim i specializuar që aktualisht ai merr.

 “Në Dibër nuk kemi ku të shkojmë për të bërë terapi, por dhe nëse do të kishte për mua do të ishte shumë e vështirë, pasi më duhet të lë shtëpinë dhe gjithçka për të shkuar pas Arsit. Ardhja e Tungjatjetës në shtëpi është diçka që na ndihmon shumë dhe unë uroj që Arsi të vijojë të përparojë, ashtu si këto muajt të parë.”- tregon nëna e Arsit.

Për herë të parë në shkollë

Kur bezdiset ose mërzitet në klasë nuk është bashkpunues dhe nuk të kushton vëmendje. Arsi është shumë i dashur me shokët dhe shoqet e klasës. Ai pëlqen shumë të bëjë vizatime, merr pjesë në aktivitete të ndryshme që realizohen në orët e mësimit, ai shfaq interes gjatë orës. Njeh shkronjat, i shkruan ato, bën mbledhjen deri në 10 me ndihmën e numëratorit” - na tregon Ergisa, mësuesja ndihmëse, e cila prej shtatorit 2019 ndjek Arsi në rrugën e tij të edukimit.

E ëma çdo mëngjes e merr në krah dhe çon në shkollë… Orët kalojnë, pas mësimit sërish e njëjta rutinë, nënë e bir “të përqafuar”, rikthehen në shtëpi…

Ka filluar klasën e parë dhe jam shumë e kënaqur, sepse i pëlqen. Në shkollë nuk e ngacmojnë, e duan shumë”- na tregon Aida.

 “Unë nuk kam ëndërruar kurrë se Arsi mund të arrijë deri këtu. Ëndrroj që ai të jetë i aftë që të ecë vetë dhe të shkojë vetë në shkollë. Të jetë i pavaruar dhe në këtë mënyrë unë mund të punoj, të dal tek toka, të përmirësoj ekonominë e shtëpisë”- pranon Aida.

Që Arsi të vijojë përmirësimet dhe që ai të shkojë vetë në shkollë, dhuro për programin “Tungjatjeja…Jetë”, për një fëmijëri me dinjitet.

72 fëmijë me aftësi të kufizuara në Librazhd, Dibër dhe Bulqizë përfitojnë shërbime të specializuara në shtëpi falë programit social “Tungjatjeta…Jetë” .

#Dhuro dhe ti një #Tungjatjeta, për një fëmijëri me dinjitet!

Si mund të dhuroni:

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/#dhuro.

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni