Emanueli, 4 vjeç

Emanueli është fëmija i parë i Mirës. Ishte vetëm 3 muajsh kur u diagnostikua me encefalopati. Sot është 4 vjeç e nuk mundet as të flasë, as të ecë e as të qendrojë ulur... Lodra e tij e preferuar është një makinë e vogël, e vetmja që mund të mbajë në dorë.

Mira tregon se çastet më të bukura të ditës së saj janë kur i biri e ndjek me sy dhe hera herës i buzëqesh.

Për çdo ditë e ëma jo vetëm kujdeset maksimalisht për t’i siguruar gjithçka, në aq mundësi sa ka, por me këmbëngulje përpiqet që shëndeti i tij të përmirësohet.

Vogëlushi ka nevojë për seanca të rregullta fizioterapie dhe logopedie. Për të mbërritur në qytet u duhet rreth 1 orë me makinë, kështu që e ëma e merr në krahë dhe bashkë zbresin për të marrë furgonin që i çon në qytet, tek qendra e shërbimeve.

Pasi Emanueli mbaron terapinë, me të në krahë ajo shkon për të marrë sërish furgonin që do i kthejë në fshat. Kur janë me fat, presin 1 orë në stacion, por ka raste që iu duhet të presin 2-3 orë… Por Mira nuk dorëzohet. “Edhe në fund të botës do shkoj vetëm të më shërohet çuni!”- thotë ajo.

Shpesh është e vetme në këtë “luftë”. I shoqi, sa herë mundet, shkon në Greqi për të punuar. Kështu bëjnë shumë burra në fshatin e tyre, në Skroskë. Ajo jeton me të birin dhe të bijën, Gentën 2-vjeçare në një shtëpi shumë të vjetër. Një banor i fshatit, u tregua zemërgjerë dhe ua la për të jetuar kur vetë u shpërngul me shtëpi në qytet. Mira thotë se dëshira e saj më e madhe është që djali të bëjë terapi çdo ditë. “Të më bëhet mirë çuni, të paktën të thotë 2 fjalë, apo të rrijë në karrige...nuk po kërkoj të ecë...”- thotë Mira dhe nuk i përmban dot më lotët. Kaq duhet që të vijë Genta, e vogla sybukur. I fshin lotët mamit dhe puth Lalin, siç i thotë ajo të vëllait. Ai duket sikur merr jetë nga përkëdhelitë e saj.

 

 

PARTNERËT TANË
 

   

PSE DUHET TË DHUROJ PËRMES TUNGJATJETA?

Tungjatjeta është një program social për integrimin e fëmijëve me Aftësi të Kufizuar.

Ekipi i World Vision në bashkëpunim me shoqatën MEDPAK menaxhojnë këtë program. MEDPAK ka një përvojë shumëvjeçare në trajtimin e Aftësisë së Kufizuar. Së bashku ata do ti përgjigjen në mënyrë specifike secilit prej rasteve të fëmijëve të identifikuar.

Ajo çka e bën këtë program unik është fakti që fëmija nuk trajtohet në mënyrë të veçuar. Punohet me të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijë, familje, komunitet. Jo vetëm fëmija merr kujdesin shëndetësor, por kujdestarët ligjorë, familjarët, bashkëmoshatarët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit janë aktorë të planit të zhvillimit të fëmijës. Ata konsultohen dhe trajnohen për çdo rast specifik për të ndihmuar procesin e integrimit të këtyre fëmijëve.

Shërbimet e “Tungjatjeta” do t'i shtohen hartës së shërbimeve të ofruara nga Qendra Komunitare në Librazhd, e cila menaxhohet nga MEDPAK.

 


 

PËRMES TUNGJATJETA FËMIJA PËRFITON:

Plan zhvillimi Personal: Fëmija përfiton një vlerësim të plotë në të gjitha fushat e zhvillimit nga ekipi i specialistëve. Ky ekip harton një Plan Zhvillimi Individual me objektiva afatshkurtëra dhe afatgjata për zhvillimin e fëmijës.
Vizita në familje: Frekuenca e vizitave për cdo fëmijë bazohet në diagnozën e tij.
Fizioterapi: Për forcimin e muskujve, zhvillimin e lëvizjeve dhe qarkullim më të mirë të gjakut. Ndihmon fëmijën të lëvizë, të qëndrojë ulur e të përmirësojë të ecurën. Gjithashtu zvogëlon dhimbjet trupore për fëmijët që qëndrojnë të shtrirë për një kohë të gjatë. Aplikohet për fëmijët me paralizë cerebrale, encofelopadi, paraplegji, distrofi muskulare etj.
Logopedi: Zhvillon të folurin dhe artikulimin e fjalëve, në mënyrë që fëmijët të mund të shprehin nevojat e tyre.
Psikoterapi: Ndihmon fëmijët me çrregullime mendore, por edhe prindërit që paraqesin një gjendje të rënduar psikologjike.
Transport: Fëmijët, sipas rastit, tranportohen drejt qendrave të posaçme për trajtime më të specializuara.
Konsultime: Aftësim i prindërve si të zhvillojnë terapinë ndaj fëmijës dhe ndërgjegjësim i anëtarëve të komunitetit mbi rastin.
Set materialesh zhvillimi dhe didaktike: Që prindërit të mund të punojnë gjatë kohës në shtëpi sipas udhëzimeve të specialistit.


 

PAMJE E PËRGJITHSHME E WORLD VISION ALBANIA

World Vision në Shqipëri është një organizatë e krishterë humanitare, zhvillimi dhe avokatie e cila punon në 230 komunitete në nevojë, në 10 rajone që prej vitit 1999. Përmes mobilizimit komunitar ndihmon në mbrojtjen, edukimin, fuqizimin dhe gjithpërfshirjen e 33 mijë fëmijëve dhe të rinjve më nevojtarë në Shqipëri. World Vision gjendet edhe në vende të tjera te Ballkanit Perendimor që pas krizës ndër-etnike në këtë rajon. World Vision është një nga organizatat më të mëdha në fushën e zhvillimit të  fëmijëve dhe të rinjve në botë. Në Shqipëri, ne punojmë përmes programit të mbrojtjes së fëmijëve, rinisë dhe edukimit.

Në arenën ndërkombëtare, World Vision, ka filluar veprimtarinë e vet më 1950 dhe aktualisht vepron në pothuajse 100 vende.

MEDPAK

MEDPAK është një shoqatë e themeluar që prej vitit 1993, e specializuar në trajtimin dhe menaxhimin e Aftësisë së Kufizuar. Në bashkëpunim me World Vision dhe Bashkinë Librazhd ajo mbështet një Qendër Komunitare për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuar. MEDPAK ka marrë përsipër menaxhimin e Qendrës dhe kthimin e saj në një Qendër me bazë Komunitare, ku fëmijët me Aftësi të Kufizuar të marrin  shërbime cilësore të cilat jua garanton ligji.

Qendra shërben për fuqizimin e prindërve, kujdestarëve të femijëve me Aftësi të Kufizuar dhe aftësimin e tyre drejt një jete të pavarur, pasi mbarojnë klasën e nëntë.

Keni pyetje apo komente? Na shkruani:

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Facebook Feed

Newsletter

Rregjistroni emailin tuaj për të marrë njoftimet tona.

Na Ndiqni