Emanueli, 4 vjeç

Emanueli është fëmija i parë i Mirës. Ishte vetëm 3 muajsh kur u diagnostikua me Sindromën WEST (Encefalopati Epileptogjene). Sot është 4 vjeç e nuk mundet as të flasë, as të ecë e as të qendrojë ulur... Lodra e tij e preferuar është një makinë e vogël, e vetmja që mund të mbajë në dorë.

Mira tregon se çastet më të bukura të ditës së saj janë kur i biri e ndjek me sy dhe hera herës i buzëqesh.

Për çdo ditë e ëma jo vetëm kujdeset maksimalisht për t’i siguruar gjithçka, në aq mundësi sa ka, por me këmbëngulje përpiqet që shëndeti i tij të përmirësohet.

Vogëlushi ka nevojë për seanca të rregullta fizioterapie dhe logopedie. Për të mbërritur në qytet u duhet rreth 1 orë me makinë, kështu që e ëma e merr në krahë dhe bashkë zbresin për të marrë furgonin që i çon në qytet, tek qendra e shërbimeve.

Pasi Emanueli mbaron terapinë, me të në krahë ajo shkon për të marrë sërish furgonin që do i kthejë në fshat. Kur janë me fat, presin 1 orë në stacion, por ka raste që iu duhet të presin 2-3 orë… Por Mira nuk dorëzohet. “Edhe në fund të botës do shkoj vetëm të më shërohet çuni!”- thotë ajo.

Shpesh është e vetme në këtë “luftë”. I shoqi, sa herë mundet, shkon në Greqi për të punuar. Kështu bëjnë shumë burra në fshatin e tyre, në Skroskë. Ajo jeton me të birin dhe të bijën, Gentën 2-vjeçare në një shtëpi shumë të vjetër. Një banor i fshatit, u tregua zemërgjerë dhe ua la për të jetuar kur vetë u shpërngul me shtëpi në qytet. Mira thotë se dëshira e saj më e madhe është që djali të bëjë terapi çdo ditë. “Të më bëhet mirë çuni, të paktën të thotë 2 fjalë, apo të rrijë në karrige...nuk po kërkoj të ecë...”- thotë Mira dhe nuk i përmban dot më lotët. Kaq duhet që të vijë Genta, e vogla sybukur. I fshin lotët mamit dhe puth Lalin, siç i thotë ajo të vëllait. Ai duket sikur merr jetë nga përkëdhelitë e saj.

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni