Gabriela, 15 vjeçe

 

Gabriela ime

 

Më 29 shtator të vitit 2001 erdhi në jetë Gabriela, fëmija i parë për Adrianën. Sipas librit të shenjtë, Gabriela do të thotë “Zoti është forca ime”, sikur ta kish ditur që ai do t’i bëhej miku më i mirë në luftën qe e priste.

Adriana jeton në Skroskë të Librazhdit.

Ajo tregon se kur vajza lindi, çdo gjë shkoi normalisht. Ajo qau sapo erdhi në jetë, por me kalimin e muajve qetësia e saj nisi ta shqetësojë. Ajo nuk lëvizi kurrë nga vendi ku e linin, nuk e ktheu as kokën. Nuk pa e as nuk preku asnjë lodër. “Kur e laja, ajo nuk reagonte. Imangjino, as uji nuk e trembte. U thoja të gjithëve: Mos ka ndonjë problem çupa? Jo më thonin. Është fëmijë i urtë.  Ma thonte zemra...diçka nuk shkonte... derisa një ditë, kur ishte 10 muajshe e morëm çupën në krahë dhe e shpumë në spital, në Elbasan. Doktori e kuptoi menjëherë. Ka zhvillim të vonuar na tha” - tregon mes lotësh Adriana, mamaja e Gabrielës.

Ata ishin të papërgatitur, ashtu janë ende sot. E kush mund të jetë...

Pas një viti, në jetë erdhi Kristina, vajza e dytë e familjes e cila do të bëhej shoqja e saj më e mirë. Kristina mësoi të ecte, të fliste, të luante. Nga dëshira për të luajtur me të motrën “e mësoi” Gabrielën të ecte, të luante dhe të fliste...vetëm disa fjalë. Klasën e parë e filluan bashkë. Gabriela ishte 8 vjeçe. Kristina 7. Gabriela i griste librat, fletoret me detyrat e shtëpisë. Ndonjëherë ia hidhte librat, ia fuste në çantën e të tjerëve. E motra e mbante përdore gjatë gjithë kohës, rrugës nga shkolla për në shtëpi, e në kthim. Gabriela ia lëshoi dorën shpesh herë dhe vrapoi pa e ditur ku. Kristina vrapoi më shpejt. Ia kapi sërish, ia mbajti fort dhe nuk ia lëshoi kurrë...sepse kështu bëjnë motrat.

Gabriela ka nevojë për logopedi, që të mund të komunikojë me njerëzit që e rrethojnë, të paktën me disa fjalë. “Të më thotë kur ka uri, kur ka etje apo kur do të dalë, të ma thotë me zë jo me ulërima, kaq dua”- thotë Adriana. 

Prej një muaji Gabriela frekuenton qëndrën e shërbimeve të specializuara në Librazhd. Është larg, dhe u duhet të harxhojnë 800 lekë vetëm për transport. “Vajza ka nevojë për fizioterapi që të mund të ecë më mire. Ka nisur të përmirësohet. Më parë nuk i lëshonte gjërat nga dora. Tani i them: Si e ke mësuar tek qendra? Gjërat janë të të gjithëve. Më pas i lëshon. Ka filluar dëgjon disi”- tregon e ëma.

 Por shpenzimet për transport janë të papërballueshme për këtë familje me 7 persona, ku e vetmja që punon është Adriana. “Asistenca që marrim për Gabrielën na shkon për transport  por edhe për shpenzime të tjera. Po doli në rrugë Gabriela  kërkon çfarë të shohë. Po nuk ia bleva fillon qan, bërtet, ulet në tokë, gjuan...të gjithë pastaj shikojnë nga ne, na e bëjnë me gisht, sikur hallin ta kenë ata jo ne. Detyrohem i blej çfarë më kërkon...”- tregon Adriana.

Pasi iu bashkua skuadrës së World Vision në Librazhd, ku mësoi shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për ata më në nevojë Adriana nisi shkollën e lartë për ciklin parashkollor.

“Doja të mësoja më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuar.  Iu bashkova World Vision sepse në fshat nuk kisha asnjë informacion, kemi vetëm një infermiere dhe asnjë njeri tjetër”- thotë ajo.

Falë formimit të saj, Gabriela nuk ka rreshtur kurrë së shkuari në shkollë, ka mësuar disa gërma dhe numrat deri në 10. Sot është 15 vjeçe dhe shkon në klasë të 8-të por nuk ka marrë asgjë nga shkolla gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë vetëm frekuentese, nuk ka pasur kurrë plan individual edukimi - tregon Adriana.

Që Gabriela të ketë mundësi për më shumë senca fizioterapie dhe logopedie, ne kemi nisur programin “Tungjatjeta”, që ofron vizita dhe shërbime për fëmijët me Aftësi të Kufizuar, në zonat më të thella të vendit, pranë banesave të tyre.Studimi ynë i fundit tregoi se rreth 70,000 fëmijë në vend jetojnë me një vështirësi të thelluar dhe 92 % e tyre nuk aksesojnë shërbimet që u nevojiten.

 

 

PARTNERËT TANË
 

   

PSE DUHET TË DHUROJ PËRMES TUNGJATJETA?

Tungjatjeta është një program social për integrimin e fëmijëve me Aftësi të Kufizuar.

Ekipi i World Vision në bashkëpunim me shoqatën MEDPAK menaxhojnë këtë program. MEDPAK ka një përvojë shumëvjeçare në trajtimin e Aftësisë së Kufizuar. Së bashku ata do ti përgjigjen në mënyrë specifike secilit prej rasteve të fëmijëve të identifikuar.

Ajo çka e bën këtë program unik është fakti që fëmija nuk trajtohet në mënyrë të veçuar. Punohet me të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijë, familje, komunitet. Jo vetëm fëmija merr kujdesin shëndetësor, por kujdestarët ligjorë, familjarët, bashkëmoshatarët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit janë aktorë të planit të zhvillimit të fëmijës. Ata konsultohen dhe trajnohen për çdo rast specifik për të ndihmuar procesin e integrimit të këtyre fëmijëve.

Shërbimet e “Tungjatjeta” do t'i shtohen hartës së shërbimeve të ofruara nga Qendra Komunitare në Librazhd, e cila menaxhohet nga MEDPAK.

 


 

PËRMES TUNGJATJETA FËMIJA PËRFITON:

Plan zhvillimi Personal: Fëmija përfiton një vlerësim të plotë në të gjitha fushat e zhvillimit nga ekipi i specialistëve. Ky ekip harton një Plan Zhvillimi Individual me objektiva afatshkurtëra dhe afatgjata për zhvillimin e fëmijës.
Vizita në familje: Frekuenca e vizitave për cdo fëmijë bazohet në diagnozën e tij.
Fizioterapi: Për forcimin e muskujve, zhvillimin e lëvizjeve dhe qarkullim më të mirë të gjakut. Ndihmon fëmijën të lëvizë, të qëndrojë ulur e të përmirësojë të ecurën. Gjithashtu zvogëlon dhimbjet trupore për fëmijët që qëndrojnë të shtrirë për një kohë të gjatë. Aplikohet për fëmijët me paralizë cerebrale, encofelopadi, paraplegji, distrofi muskulare etj.
Logopedi: Zhvillon të folurin dhe artikulimin e fjalëve, në mënyrë që fëmijët të mund të shprehin nevojat e tyre.
Psikoterapi: Ndihmon fëmijët me çrregullime mendore, por edhe prindërit që paraqesin një gjendje të rënduar psikologjike.
Transport: Fëmijët, sipas rastit, tranportohen drejt qendrave të posaçme për trajtime më të specializuara.
Konsultime: Aftësim i prindërve si të zhvillojnë terapinë ndaj fëmijës dhe ndërgjegjësim i anëtarëve të komunitetit mbi rastin.
Set materialesh zhvillimi dhe didaktike: Që prindërit të mund të punojnë gjatë kohës në shtëpi sipas udhëzimeve të specialistit.


 

PAMJE E PËRGJITHSHME E WORLD VISION ALBANIA

World Vision në Shqipëri është një organizatë e krishterë humanitare, zhvillimi dhe avokatie e cila punon në 230 komunitete në nevojë, në 10 rajone që prej vitit 1999. Përmes mobilizimit komunitar ndihmon në mbrojtjen, edukimin, fuqizimin dhe gjithpërfshirjen e 33 mijë fëmijëve dhe të rinjve më nevojtarë në Shqipëri. World Vision gjendet edhe në vende të tjera te Ballkanit Perendimor që pas krizës ndër-etnike në këtë rajon. World Vision është një nga organizatat më të mëdha në fushën e zhvillimit të  fëmijëve dhe të rinjve në botë. Në Shqipëri, ne punojmë përmes programit të mbrojtjes së fëmijëve, rinisë dhe edukimit.

Në arenën ndërkombëtare, World Vision, ka filluar veprimtarinë e vet më 1950 dhe aktualisht vepron në pothuajse 100 vende.

MEDPAK

MEDPAK është një shoqatë e themeluar që prej vitit 1993, e specializuar në trajtimin dhe menaxhimin e Aftësisë së Kufizuar. Në bashkëpunim me World Vision dhe Bashkinë Librazhd ajo mbështet një Qendër Komunitare për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuar. MEDPAK ka marrë përsipër menaxhimin e Qendrës dhe kthimin e saj në një Qendër me bazë Komunitare, ku fëmijët me Aftësi të Kufizuar të marrin  shërbime cilësore të cilat jua garanton ligji.

Qendra shërben për fuqizimin e prindërve, kujdestarëve të femijëve me Aftësi të Kufizuar dhe aftësimin e tyre drejt një jete të pavarur, pasi mbarojnë klasën e nëntë.

Keni pyetje apo komente? Na shkruani:

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Facebook Feed

Newsletter

Rregjistroni emailin tuaj për të marrë njoftimet tona.

Na Ndiqni