Alesia, 9 vjeçe

 

“Mësova të eci në rrugën time”

 

Në Skroskë të Librazhdit, jeton Alesia. 9-vjeçarja, lindi me paralizë cerebrale. Por kjo nuk e ka penguar të jetë e para e klasës, apo të shkëlqejë në orën e matematikës. E ëma,  Zhaneta, e merr çdo mëngjes në shpinë dhe bashkë përshkrojnë rrugën e gjatë prej 40 minutash deri në shkollë.

Kur bie zilja, të gjithë vrapojnë të dalin jashtë, marrin diçka për të ngrënë e rrinë në oborr deri sa të fillojë mësimi. Ajo nuk mundet.

Është munduar të lëvizë këmbët me forcën e dëshirës për të qenë si ata, por nuk ka mundur. Ato e kanë lënë gjithnjë në baltë. Kur kthehen në klasë shokët e pyesin nëse do diçka për të ngrënë. Ajo do. Ata vrapojnë sërish për t’i blerë diçka. Ajo pëlqen të ëmblat. Kur ata kthehen, ndonjëherë ajo ka kohë të hajë, ndonjëherë bie zilja dhe ajo e fut ushqimin poshtë bangës.

“Kur mbaron mësimi, ata vrapojnë për të shkuar në shtëpi. Unë rri ulur dhe pres mamin.”- tregon ajo.

E ëma nuk vonon kurrë. Ajo e e mer në krahë e mbështetur tek njëra-tjetra të kthehen për në shtëpi. Ato nuk ndalen as kur rruga është me baltë nga shiu apo e rrëqitshme nga dëbora.

Alesia ishte vetëm 3 muajshe kur u diagnostikua me paralizë cerebrale. “Kur të rritem, dua të bëhem mësuese matematike”- tregon ajo dhe vrapon të marrë fletoren e detyrave ku ka vetëm “Shkëqyeshëm”.

Zhaneta tregon se pas tre vajzave ata prisnin të gëzoheshin me djalë, por në jetë erdhi Alesia e cila sipas mjekëve nuk do të mund të ecte kurrë. “M’u përmbys dynjaja! Nuk e besoja dot! Mendoja, mos po gabohen këta? Mos m’i kanë ngatërruar analizat e gocës?”- rrëfen Zhaneta. E gjithë dita dhe nata e Zhanetës janë në funksion të së bijës. Ajo fle pasi Alesia ka rënë në shtrat dhe zgjohet para se vogëlushja e saj të hapë sytë. Për Zhanetën, mirëqenia e Alesias është mbi gjithçka.

Të voglës i nevojiten terapi fizioterapie të vazhdueshme sepse ajo ka dhembje të vazhdueshme fizike. E vetmja qendër e specializuar në Librazhd ku Alesia mund të marrë këtë shërbim është në qendër të Librazhdit.

E ëma tregon se  u duhet të paguajnë 400 lekë transport për furgonin, dhe për familjen e Alesias ku nuk punon askush  janë shumë para. “I marrim çdo muaj 3000 mijë lekë ilaçe. Mos të llogarisim pastaj pelenat që i duhen. Janë shumë lekë. Për kokë të fëmijëve nuk ia dalim dot”- tregon e ëma e mban lotët. Alesia, ka të vetmin mjet transporti shpinën e së ëmës. “Rruga ku kalon furgoni, është kaq e keqe sa kur kthehemi nga terapia goca ankohet për dhimbje trupi”- tregon Zhaneta.

Alesia ka nevojë për fizioterapi, por ajo mund të shkojë në qendër vetëm një herë në javë. Po sikur të shkonte fiziterapsiti tek ajo 3 herë në javë? Ajo do të kishte më pak dhimbje. Për Alesian kjo është një ëndërr.

World Vision ka filluar programin social “Tungjatjeta”.  Ti mund të ndihmosh që duke dhuruar 400 lekë çdo muaj, Alesia të  mund të shkojë në shkollë me karrocë të re si dhe të marrë shërbimet bazë që i duhen.  

 

PARTNERËT TANË
 

    

 

   

 

PSE DUHET TË DHUROJ PËRMES TUNGJATJETA?

Tungjatjeta është një program social për integrimin e fëmijëve me Aftësi të Kufizuar.

Ajo çka e bën këtë program unik është fakti që fëmija nuk trajtohet në mënyrë të veçuar. Punohet me të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijë, familje, komunitet. Jo vetëm fëmija merr kujdesin shëndetësor, por kujdestarët ligjorë, familjarët, bashkëmoshatarët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit janë aktorë të planit të zhvillimit të fëmijës. Ata konsultohen dhe trajnohen për çdo rast specifik për të ndihmuar procesin e integrimit të këtyre fëmijëve.

Ekipi i World Vision në bashkëpunim me shoqatën MEDPAK  dhe Bashkinë Librazhd, menaxhojnë këtë program. MEDPAK ka një përvojë shumëvjeçare në trajtimin e Aftësisë së Kufizuar. Së bashku ata kanë marrë përsipër të mbështesin Qendrën Komunitare për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuar dhe t’i përgjigjen në mënyrë specifike secilit prej rasteve të identifikuar.

 


 

PËRMES TUNGJATJETA FËMIJA PËRFITON:

Plan zhvillimi Personal: Fëmija përfiton një vlerësim të plotë, të stadit të zhvillimin psikosocial. Ne bazë të tij, ekipi i ekspertëve harton një Plan Zhvillimi Individual për fëmijën dhe familjen e tij. Ofrohet mbështetje psikoemocionale e prindërve në zhvillimin e potencialit të fëmijëve të tyre.
Vizita në familje: Frekuenca e vizitave për cdo fëmijë bazohet në diagnozën e tij, minimalisht një herë në javë.
Fizioterapi: Për forcimin e muskujve, zhvillimin e lëvizjeve dhe qarkullim më të mirë të gjakut. Aplikohet për fëmijët me paralizë cerebrale, encofelopadi, paraplegji, distrofi muskulare etj.
Logopedi: Zhvillon të folurin dhe artikulimin e fjalëve, në mënyrë që fëmijët të mund të shprehin nevojat e tyre.
Psikoterapi: Ndihmon fëmijët me çrregullime mendore, por edhe prindërit që paraqesin një gjendje të rënduar psikologjike.
Transport: Fëmijët, sipas rastit, tranportohen drejt qendrave të posaçme për trajtime më të specializuara.
Konsultime: Aftësim i prindërve si të zhvillojnë terapinë ndaj fëmijës dhe ndërgjegjësim i anëtarëve të komunitetit mbi rastin.
Set materialesh zhvillimi dhe didaktike: Që prindërit të mund të punojnë gjatë kohës në shtëpi sipas udhëzimeve të specialistit.


 

PAMJE E PËRGJITHSHME E WORLD VISION ALBANIA

World Vision në Shqipëri është një organizatë e krishterë humanitare, zhvillimi dhe avokatie e cila punon në 220 komunitete në nevojë, në 10 rajone që prej vitit 1999. Përmes mobilizimit komunitar ndihmon në mbrojtjen, edukimin, fuqizimin dhe gjithpërfshirjen e 32 mijë fëmijëve dhe të rinjve më nevojtarë në Shqipëri. World Vision gjendet edhe në vende të tjera te Ballkanit Perendimor që pas krizës ndër-etnike në këtë rajon. World Vision është një nga organizatat më të mëdha në fushën e zhvillimit të  fëmijëve dhe të rinjve në botë. Në Shqipëri, ne punojmë përmes programit të mbrojtjes së fëmijëve, rinisë dhe edukimit.

Në arenën ndërkombëtare, World Vision, ka filluar veprimtarinë e vet më 1950 dhe aktualisht vepron në pothuajse 100 vende.

Keni pyetje apo komente? Na shkruani:

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Facebook Feed

Na Ndiqni