Bruna, 7 vjeçe

Tungjatjeta Bruna!

Bruna është shumë e dashur dhe miqësore. Ajo është mikesha me e shpeshtë e të gjithëve në lagje. Ata e duan shumë vogëlushen që i viziton e heshtur. Brunës i pëlqen shumë të luaj me fëmijët në lagje, me qenin që kanë pas shtëpisë dhe të mbledhë fruta në pemë. E gjetëm në ulur në avllinë e papërfunduar tek shtëpia e xhaxhait tek hante disa kajsi që i kishte vjelë vetë, veshur me një fustan rozë. U gëzua pa masë dhe vuri buzën në gaz. Vetëm kaq mundi të bëjë.

Shkuam në shtëpinë e saj, takuam të ëmën, Mimozën e cila na rrëfeu mes lotësh për Brunën e saj të vogël. Bruna është vajza e tretë e familjes. Ajo erdhi në jetë pas 2 motrave, Ferides dhe Mirjanës. “Shtatzania më shkoi shumë mirë, edhe muajt e parë mirë, nuk kuptuam gjë. Kur bëri 1 vjeç thonte “ma”,”ba”…kaq.  Pastaj i la fjalët. Unë i flisja ajo nuk më kthente përgjigje. As nuk më dëgjonte. Nuk e besonim dot. Në fis nuk kemi kështu rastesh, as unë as burri” – tregon Mimoza. Pas betejës për të pranuar realitetin e vështirë, ata e dërguan Brunën, asokohe 2 vjeçe, në Tiranë. “Mjekët na thanë për skaner dhe ezhe, por ne nuk kishim mundësi, nuk kishim para”, - tregon e ëma.

Më pas, kur Bruna ishte 4 vjeçe e vizituan tek një mjek në Librazhd. Ajo u diagnostikua me çrregullime të spektrit të autizmit.

Bruna filloi të merrte shërbimet që i nevojiten vetëm para 3 muajve. Bashkë me të ëmën shkojnë tek qendra e shërbimeve të specializuara në Librazhd. Atje ajo bën terapi logopedie. “Goca më ka përmirësime. Ka filluar lëshon tinguj. Kam shumë shpresë që do të fillojë të flasë”- thotë Mimoza. Ajo ëndërron që një ditë e bija të flasë. “Sikur të fliste e të bëhej e zonja e vetes! Kaq dua. Po kur mos të jem unë? Kush do kujdeset për gocën?”- përfundon mes lotësh Mimoza.

 

PARTNERËT TANË
 

    

 

   

 

PSE DUHET TË DHUROJ PËRMES TUNGJATJETA?

Tungjatjeta është një program social për integrimin e fëmijëve me Aftësi të Kufizuar.

Ajo çka e bën këtë program unik është fakti që fëmija nuk trajtohet në mënyrë të veçuar. Punohet me të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijë, familje, komunitet. Jo vetëm fëmija merr kujdesin shëndetësor, por kujdestarët ligjorë, familjarët, bashkëmoshatarët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit janë aktorë të planit të zhvillimit të fëmijës. Ata konsultohen dhe trajnohen për çdo rast specifik për të ndihmuar procesin e integrimit të këtyre fëmijëve.

Ekipi i World Vision në bashkëpunim me shoqatën MEDPAK  dhe Bashkinë Librazhd, menaxhojnë këtë program. MEDPAK ka një përvojë shumëvjeçare në trajtimin e Aftësisë së Kufizuar. Së bashku ata kanë marrë përsipër të mbështesin Qendrën Komunitare për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuar dhe t’i përgjigjen në mënyrë specifike secilit prej rasteve të identifikuar.

 


 

PËRMES TUNGJATJETA FËMIJA PËRFITON:

Plan zhvillimi Personal: Fëmija përfiton një vlerësim të plotë, të stadit të zhvillimin psikosocial. Ne bazë të tij, ekipi i ekspertëve harton një Plan Zhvillimi Individual për fëmijën dhe familjen e tij. Ofrohet mbështetje psikoemocionale e prindërve në zhvillimin e potencialit të fëmijëve të tyre.
Vizita në familje: Frekuenca e vizitave për cdo fëmijë bazohet në diagnozën e tij, minimalisht një herë në javë.
Fizioterapi: Për forcimin e muskujve, zhvillimin e lëvizjeve dhe qarkullim më të mirë të gjakut. Aplikohet për fëmijët me paralizë cerebrale, encofelopadi, paraplegji, distrofi muskulare etj.
Logopedi: Zhvillon të folurin dhe artikulimin e fjalëve, në mënyrë që fëmijët të mund të shprehin nevojat e tyre.
Psikoterapi: Ndihmon fëmijët me çrregullime mendore, por edhe prindërit që paraqesin një gjendje të rënduar psikologjike.
Transport: Fëmijët, sipas rastit, tranportohen drejt qendrave të posaçme për trajtime më të specializuara.
Konsultime: Aftësim i prindërve si të zhvillojnë terapinë ndaj fëmijës dhe ndërgjegjësim i anëtarëve të komunitetit mbi rastin.
Set materialesh zhvillimi dhe didaktike: Që prindërit të mund të punojnë gjatë kohës në shtëpi sipas udhëzimeve të specialistit.


 

PAMJE E PËRGJITHSHME E WORLD VISION ALBANIA

World Vision në Shqipëri është një organizatë e krishterë humanitare, zhvillimi dhe avokatie e cila punon në 220 komunitete në nevojë, në 10 rajone që prej vitit 1999. Përmes mobilizimit komunitar ndihmon në mbrojtjen, edukimin, fuqizimin dhe gjithpërfshirjen e 32 mijë fëmijëve dhe të rinjve më nevojtarë në Shqipëri. World Vision gjendet edhe në vende të tjera te Ballkanit Perendimor që pas krizës ndër-etnike në këtë rajon. World Vision është një nga organizatat më të mëdha në fushën e zhvillimit të  fëmijëve dhe të rinjve në botë. Në Shqipëri, ne punojmë përmes programit të mbrojtjes së fëmijëve, rinisë dhe edukimit.

Në arenën ndërkombëtare, World Vision, ka filluar veprimtarinë e vet më 1950 dhe aktualisht vepron në pothuajse 100 vende.

Keni pyetje apo komente? Na shkruani:

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Facebook Feed

Na Ndiqni