Languages

Leonora, 16 vjeçe

Tungjatjeta Leonora!

Rruga për në shtëpinë e Leonorës është e gjatë. Mban rreth 40 minuta me makinë larg Librazhdit. Në një pjesë të rrugës nuk duken më shtëpi, dhe të duket sikur ke humbur rrugën. Por nuk duhet dhe shumë dhe fillojnë të shquhen disa shtëpi, tek tuk. Pas malit dallohet edhe shtëpia e Leonorës, bashkë me 3-4 shtëpi të tjera. 

Sapo mbërrijmë, na presin prindërit e Norës, siç e thërrasin ata. Osmani dhe Lumturia janë prindër të tre vajzave dhe një djali. Kimetja 24- vjeçare sapo ka mbaruar universitetin për administrim biznesi, i vëllai, Erjoni, 20 vjeç, ka emigruar në Angli, si shumë djem të tjerë në atë zonë, Nora është 16 vjeçe dhe Diana, më e vogla, 13. Nora është e përkëdhelura dhe e përkujdesura e të gjithëve. Shtatlarta me sy blu, të bën për vete menjëherë. Ajo ka një shikim të thellë.

Osmani, i ati nuk vonon të rrëfejë përsiatjet e familjes së tij që mbajnë emrin e saj… Nora ishte 5 vjeçe kur kaloi krizën e parë të epilepsisë. Ajo u rrëzua në tokë dhe filloi të dridhej. Kjo gjë filloi t’i ndodhte shumë shpesh. “Ishte 15 maj i 2005-ës. Nuk e harroj atë ditë. E sollëm në Tiranë. Mjekët i bënë skaner dhe thanë se ka nevojë për operacion” – kujton me dhimbje Kujtimi.

Ai beson se ai operacion i shpëtoi jetën së bijës por nuk i ktheu dot fëmijërinë që ia vodhi përgjithmonë. Nora mori një kurë me ilaçe të cilat nuk i ndërpreu më kurrë. Sot Nora është 16 vjeçe dhe merr 14 hape në ditë, 7 në mëngjes dhe 7 në darkë. Ato i shkaktojnë një gjendje pasiviteti të vazhdueshëm por, e ëma, Lumturia, thotë se nëse nuk i merr Nora nuk qëndron dot as në këmbë. “Goca ka kriza të shpeshta. Një ditë e gjeta në kuzhinë, të shtrirë, pa ndjenja. Një ditë tjetër na u rrëzua para syve në verandë. Vetëm ato ilaçe e mbajnë gjallë. Sikur të pinte ca më pak se më dridhet dora kur ia jap. Po i shkatërrohet stomaku...shih sa e dobët ka ngelur...”- thotë mes lotësh Lumturia.

Norës i pëlqen të dëgjojë muzikë, të shohë TV, të bëjë fotografi. Të vetmet fjalë që Nora na thotë me vështirësi janë: “Më pëlqejnë këngët e bukura”.

Gjatë këtyre viteve, Nora e ka ndjekur shkollën me ditë dhe nuk ka mundur të marrë asgjë prej saj. Ajo nuk njeh as gërmat dhe as numrat. “Sa herë kisha mundësi, e çoja tek shkolla që ka klasën speciale në Librazhd, por kur vinte nga atje Nora bëhej shumë agresive se imitonte fëmijët e tjerë”- tregon Osmani.

 Ai nuk ka pasur mundësi ta çojë Norën në qendra të specializuara. Më e afërta është në qendër të Librazhdit, por për të vajtur atje atyre u duhet të paguajnë 400 lekë të rinj personi dhe për to janë shumë para. Barnat e Norës kushtojnë 20 mijë lekë të rinj, dhe vetëm 14 mijë rimbursohen. Të tjerat, 6 mijë lekë të rinj, familja i siguron vetë. Osmani është i vetmi që punon. Ai punon në mirëmbajtjen e fshatit. Bashkëshortja e ka të pamundur, sepse duhet të kujdeset për Norën, gjatë gjithë kohës.

Dëshira e tyre më e madhe është që Nora të marrë kujdesin e specializuar mjekësor që të përmirësohet, sadopak. Për këtë, World Vision, ka filluar programin social Tungjajeta, që do ti mundësojë fëmijëve me aftësi të kufizuara në fshatrat e thellë të Librazhdit, shërbime të specializuara.

Si mund të dhuroni:

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/dhuro.

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni