Languages

Muhamedi, 10 vjeç

Rrugëtimi i #Tungjatjeta...jetë në familjen me 3 persona me aftësi të kufizuara

“E kuptoja se diçka nuk shkonte, por nuk kisha mbështetje për t’i çuar për t’i vizituar. Voci, deri në 2 vjeç s’bëzante hiç. Kurse cuca në moshën 3-vjeçare tha fjalën e parë. Ma vonë kur dëgjonte cullt e kunatit duke thirrur “oj ma”, thrriste dhe ajo “oj ma”. Unë s’ulem dot as me i msu fmijët se po u ula unë, i hap librat ene Maliqi (burri) e kam frikë se ia gris e ia zhgarravit se janë të tre n'nji moshë mendore. Vetëm gocat e Tungjatjetës po merren, i kanë msue fmit e ka fillu fmija me u zhvillu,” – shpjegon Remija.

Ajo jeton me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, 10 dhe 12  vjeç në një fshat të Dibrës, në një shtëpizë dy katëshe ku i ftohti dhe lagështia janë të paftuarit e përhershëm, që i shoqërojnë gjatë ditëve të dimrit. Kjo stinë është e vështirë veçanërisht për zonjën e shtëpisë, e cila duhet të kujdeset edhe për tre pjestarët e tjerë të familjes me aftësi të kufizuara.

Denisa dhe Muhamedi janë shumë të dashur me të gjithë vizitorët e vjetër dhe të rinj. Sapo i takon, të ftojnë të luash me ta në oborrin e shtëpisë ose nisin të tregojnë disa histori të shkurtra që iu kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit apo dëshirat e së ardhmes.

Kur të rritem dua të shkoj në punë, të vjel misër, groshë. Të punoj të ushqej me bukë babin edhe vllaun,” – tregon Denisa, vajza që së fundmi arrin të dallojë edhe format edhe ngjyrat.

Ajo ka mësuar të shkruajë edhe emrin e vet, kurse i vëllai ka nisur të mësojë numrat deri në 10. E ëma na tregon se megjithëse nuk ka pasur mundësinë të kujdeset siç duhet për fëmijët, ajo nuk i ka lënë asnjë ditë pa kopësht e pa shkollë.

Krahas punës së mësueses ndihmëse dhe mësueses kujdestare në shkollë, edhe ekipi i specializuar i programit social ‘Tungjatjeta…jetë’ të World Vision Albania, prej disa muajsh ka filluar terapinë e zhvillimit për fëmijët dhe ofron mbështetje psikosociale për të ëmën. Arta, psikologia e ekipit thotë se duhet shumë punë dhe shumë përkushtim që kjo familje të ketë sadopak përmirësime në jetesën e tyre. Duhet shumë mbështetje nga familjarët, nga banorët e tjerë të fshatit, por edhe nga institucionet.

Gjendja në këtë familje është shumë e ndërlikuar sepse babai ka vetëm prezencë fizike, por mungon figura e tij në bashkë-edukimin e fëmijëve dhe kujdesin për familjen. Ndërkohë, fëmijët paragjykohen nga komuniteti dhe kjo i bën të hezitojnë për të ndërvepruar më shumë me të tjerët. Megjithatë me shumë përpjekje ia kemi dalë që të jenë fëmijë më social, më të qetë dhe në shumë raste, kur kërkojnë diçka të kenë sensin e pritjes. Bashkë me pjesën tjetër të skuadrës jemi duke u përpjekur që ata të shtojnë kujdesin për veten dhe të përmirësojnë sjelljen ndaj njëri tjerit,” – shton ajo.

Specialistët thonë se janë të shumta porositë që i lenë së ëmës, por Remijes rrallëherë i del koha të bëjë ushtrime me fëmijët. Pjesën më të madhe të ditës e kalon duke larë rrobat, duke pastruar shtëpinë, duke u kujdesur për kafshët shtëpiake e 2 herë në ditë çon dhe merr fëmijët nga shkolla. Punonjësja sociale tregon disa nga momentet kyçe gjatë punës me të: “Ka qenë shumë e vështirë në fillim sepse nëna nuk kishte asnjë mbështetje. Ajo përpiqej shumë, por 24 orëshi nuk i mjaftonte për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve dhe nevojave të famijes. Për këtë arsye, ka pasur nevojë të këshillohet me ne mbi sfidat që ka has çdo ditë me mirëmenaxhimin e parave, higjienën e shtëpisë, edukimin e fëmijëve, kujdesin ndaj bashkëshortit, por edhe mbi kujdesin ndaj vetes. Jemi vetëm në hapat e parë, por kjo nënë ka filluar t’i kushtojë pak më tepër kohë fëmijëve, ushqimit të tyre dhe po përpiqet t’i kushtojë edhe pak minuta vetes me gjithë barrierat që has çdo ditë.

Këto janë hapat e parë drejt përmirësimit të mundimshëm të kësaj familjeje dibrane. Megjithatë ekipi i specializuar i ‘Tungjatjeta...jetë’ vazhdon të ofrojë terapi një herë në javë për fëmijët dhe nënën e tyre. World Vision përmes këtij programi social ofron në shtëpi terapi të specializuar për 72 e fëmijë në zonat e thella të Librazhdit, Dibrës dhe Bulqizës.

Dhuro një Tungjatjeta, për një fëmijëri me dinjitet. 

Na Kontaktoni

  • Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten,
    Kati 2, Tirana, Albania
  • Phone: +355 4 2419601
  • Email: info@tungjatjeta.al

Na Ndiqni